Sallahu: Vlera e pasurisë së konfiskuar, ngrirë e sekuestruar mbi 12 milion

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka publikuar të dhëna statistikore të pasurive të sekuestruara, ngrira e dhe të konfiskuara përgjatë viteve 2021-2025.

Ai ka thënë se është mbi 12 milionë euro vlera e pasurisë së konfiskuar, ngrirë dhe sekuestruar gjatë katër viteve të fundit, të administruar Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

Thotë se shumë shpejt, pasuria e përfituar, sipas tij, jashtëligjshëm nga zyrtarë publik do të jetë cak i Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Shumë shpejt, pasuria e përfituar jashtëligjshëm nga zyrtarë publik do të jetë cak i Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, e cila aktualisht pret që një kohë të gjatë pa asnjë arsyetim në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese për hyrjen në fuqi të ligjit. Atëherë edhe shifrat do të jenë krejtësisht tjera, ku koncepti i realizimit të drejtësisë do të gjej efikasitetin e vet”, ka shkruar Sallahu.

Sipas Sallahut, Byroja do të jetë institucioni që nuk do të tolerojë më përfitime, siç ka shkruar,  të “rastësishme” nga zyrtarë publik që nuk arrijnë të dëshmojnë prejardhjen e pasurisë së tyre.

“Pasuritë e tilla do të sekuestrohen dhe konfiskohen, pastaj ato do t’u kthehen qytetarëve si pronar legal e legjitim”, ka përfunduar shkrimin e tij, Sallahu. /rtk