Çitaku: UÇK-ja s’ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, por çlirimtare
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka komentuar mbështetjen e palëkundur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Çitaku thotë se ka ndjerë krenari kur ka parë gjithë përkrahjen e dhënë.
Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, thotë se UÇK nuk ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, por sipas saj, ndërmarrje e përbashkët çlirimtare.
“UÇK-ja më shumë se ushtri, ka qenë ide, ka qenë vlerë, ka qenë kryengritje, dhe për mua dhe po besoj se për secilin shqiptar, ka qenë jashtëzakonisht poshtëruese përpjekja që është bërë nga Prokuroria për ta përshkruar UÇK-në si një ndërmarrje e përbashkët kriminale. UÇK-ja ka qenë ndërmarrje e përbashkët çlirimtare, edhe aty ka pasur mësues, profesorë, mjekë, bujq, historianë, inxhinierë, ka qenë një popull që ka marrë armët për të kërkuar lirinë”.
“Jam gëzu shumë kur e kam parë masivitetin edhe në marshin për drejtësi, edhe më pas në protestën e dytë në Prishtinë edhe në Hagë. UÇK-ja është një vlerë. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli nuk janë si përfaqësues politik, të subjekteve politike, janë si luftëtarë dhe ne duhet t’i trajtojmë si të tillë”, ka thënë Çitaku, në Klan Kosova.
Ndër të tjera, politikania thotë se ushtarët e UÇK-së gëzimin më të madh e kanë pasur nëse kanë pasur një plumb për ta shkrepur.
“Ushtarët dhe ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kam pasur nderin e madh me i taku gjatë luftës, kur kam punuar me gazetarë të huaj dhe me misionin verifikues të OSBE-së bashkë me ambasadorin William Walker, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Ramush Haradinajn, e shumë e shumë bartës të tjerë të UÇK-së. Dhe unë, heroizmin, guximin, trimërinë e pashoq të vajzave dhe djemve të asaj kohe, e kam parë me sytë e mi. Ata burra e ato gra, krejt çka kanë pasur, ka qenë një zemër e madhe, një guxim i papërshkrueshëm, dhe gëzimi i tyre më i madh ka qenë nëse kanë pasur një plumb me e shkrepë”, tha ajo.