Hamas i pranon disa pjesë të planit të Trumpit për Gazën, por kërkon bisedime
Hamas njoftoi të premten vonë se do t’i pranojë disa pjesë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, duke përfshirë lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e qeverisjes së enklavës, por kërkon bisedime për shumë nga kushtet e tjera të marrëveshjes.
Në një kopje të deklaratës, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, Hamas e dha përgjigjen e tij ndaj planit 20-pikësh të Trumpit, pasi presidenti amerikan i kishte dhënë grupit militant palestinez afat deri të dielën për ta pranuar marrëveshjen.
Trumpi nuk ka thënë nëse kushtet e planit mund të negociohen, siç kërkon Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
Një çështje e rëndësishme për të cilën Hamasi nuk u shpreh është nëse do ta pranonte kushtin për t’u çarmatosur.
Çarmatosja e grupit është kërkesë e Izraelit dhe SHBA-së, të cilët deri më sot Hamasi s’e ka pranuar.
Në deklaratë, Hamas tha se “vlerëson përpjekjet arabe, islame dhe ndërkombëtare, si dhe përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, për shkëmbimin e të burgosurve dhe për hyrjen e menjëhershme të ndihmave”.
Ai tha se po njofton “miratimin për lirimin e të gjithë të burgosurve të pushtimit - si të gjallë, ashtu edhe trupat e pajetë - sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump, me kushtet e nevojshme praktike për zbatimin e shkëmbimit”.
Por, Hamas shtoi: “Në këtë kontekst, lëvizja shpreh gatishmërinë e saj që menjëherë, përmes ndërmjetësuesve, të hyjë në bisedime për t’i shtjelluar hollësitë”.
Grupi tha gjithashtu se është i gatshëm “t’ia dorëzonte administrimin e Rripit të Gazës një organi të pavarur palestinez (teknokratësh), bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe të mbështetur nga shtetet arabe dhe islame”.
Plani i Trumpit përcakton armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli, tërheqjen e Izraelit nga Gaza në faza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzitore të udhëhequr nga një trup ndërkombëtar./REL