Haradinaj i pikëlluar për vdekjen e Pajazit Zymerit: Frymëzim për shumë breza në rrugën drejt lirisë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllimet e tij pas lajmit për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, ish-të burgosurit politik dhe veteranit të UÇK-së, Pajazit Zymeri.

Në një reagim në Facebook,  Haradinaj ka thënë se baca Pajazit ishte frymëzim për shumë breza dhe veprimtar i palodhur në shërbim të kauzës kombëtare, raporton Klankosova.tv.

“Baca Pajazit ishte frymëzim për shumë breza në rrugën drejt lirisë që kulmoi me luftën çlirimtare. Atë e gjejmë në ilegalitet, krah veprimtarit e heroit Kadri Zeka. Zëri i tij kumboi edhe nga emigracioni, gjithmonë në shërbim të kauzës kombëtare në forma të ndryshme.

I etur për liri, baca Pajazit iu bashkua radhëve të atdhetarëve në UÇK. Ai ishte njeri i dashur, mikpritës e human. I tillë do të kujtohet përherë.

Ngushëllime familjes Zymeri, bashkëluftëtarëve, bashkëpunëtorëve të idealit dhe të gjithë atyre që e njohën.

U prehsh në paqe, baca Pajazit!”, shkroi Haradinaj.