Takim gjeneralësh, Jashari pret shefin e Mbrojtjes të Turqisë

Me ceremoni ushtarake e ka pritur sot në kazermën e Forcës së Kosovës komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, shefin e Mbrojtjes të Turqisë, Selçuk Bayraktaroglu.

Gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, e për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi.

“Të dy gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, si dhe për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së”, bëhet e ditur në njoftimin e FSK-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se komandanti i FSK-së e ka falënderuar gjeneralin turk për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë që i ka dhënë Forcës në ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Ndërkohë bëhet e ditur se Jashari ka marrë konfirmim nga mysafiri i tij, gjenerali turk, për vazhdimin e mbështetjes.

“Nga ana e tij, shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lart zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës. Të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes”, thotë FSK-ja. /rtk