Tranzicioni i komandantëve, KFOR-i inauguron mburojën dhe ngrit flamurin

Sot në Kampin Film City në Prishtinë, KFOR-i inauguroi mburojën dhe ngriti flamurin, duke shënuar tranzicionin midis komandantëve dhe vazhdimësinë e misionit të NATO-s në Kosovë, si dhe angazhimin për siguri dhe stabilitet rajonal.

KFOR-i theksoi se ceremonia “ilustron tranzicionin e qetë midis dy Komandantëve dhe dëshmon përkushtimin dhe udhëheqjen e komandantit që largohet, si dhe gatishmërinë e komandantit që vjen për të marrë përgjegjësi të reja.”

Sipas KFOR-it, kjo gjithashtu “simbolizon trashëgiminë e KFOR-it dhe angazhimin e palëkundur për të vazhduar kontributin në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm në Kosovë dhe stabilitet rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve.”

Ngjarja u zhvillua në Sheshin Sir Michael Jackson, të emëruar kohët e fundit në nder të Komandantit të parë të KFOR-it, në prag të Ceremonisë së Ndërrimit të Komandës më 03 tetor 2025.

Komandanti i XXIX i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, dhe Komandanti i XXX i KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaë, udhëhoqën procedurat e ceremonisë.

KFOR-i rithekson se  “mbetet plotësisht i përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes,” duke vepruar “në përputhje me mandatet e tij të bazuara në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.