Osmani i kërkon Holandës mbështetje për largimin e masave të BE-së

Presidentja Vjosa Osmani është takuar në Kopenhagë, me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof.

Osmani bëri të ditur se me Schoof kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Holandës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit tonë ekonomik.

“Gjithashtu, kërkova mbështetjen e Holandës për finalizimin e procesit të heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë”, ka pohuar Osmani.

Gjatë ditës sot Osmani është pritur në takime dhe nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë.

“Mirënjohëse Kryeministres daneze Mette Frederiksen për mikpritjen e ngrohtë në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, i cili edhe këtë herë fokusohet në sfidat e sigurisë dhe në thellimin e bashkëpunimit për t’i tejkaluar ato”, ka shkruar Osmani.

Danimarka ka mbledhur sot liderët evropianë në samitin e Komunitetit Politik Evropian të enjten.

Presidentja Osmani para nisjes së takimit ka kritikuar shtetet e BE-së për shpërblimet që po ia bëjnë Serbisë, e cila, sipas saj, është pro-ruse.