Akreditimi i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve, Cakolli: KQZ-ja duhet të ketë kujdes

Eugen Cakolli i KDI-së ka kërkuar nga KQZ-ja që të ketë kujdes me akreditimin e OJQ-ve si vëzhguese për zgjedhje.

Ai ka bërë me dije se në çdo proces zgjedhor shfaqen organizata të ashtuquajtura joqeveritare që krijohen në minutën e fundit për t’u akredituar si vëzhgues.

Në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Cakolli ka shkruar se këto struktura nuk janë rastësi.

“Në çdo proces zgjedhor shfaqen organizata të ashtuquajtura joqeveritare që krijohen në minutën e fundit vetëm për t’u akredituar si vëzhgues. Pa përvojë, pa aktivitete të mëhershme e shpesh edhe me zyra fiktive, ato ekzistojnë vetëm në letër. Këto struktura nuk janë rastësi. Ato e keqpërdorin vëzhgimin për të shtyrë përpara interesa politike ose ndikime të tjera, duke u fshehur pas petkut të shoqërisë civile. Standardet ndërkombëtare janë të qarta: vëzhgimi qytetar duhet të bëhet nga organizata të pavarura, me kapacitet real dhe metodologji të mirëfilltë”, ka shkruar ai, duke e ftuar KQZ-në për kujdes.

“KQZ-ja duhet të tregojë kujdes më të madh dhe të sigurohet që vëzhgimi nga shoqëria civile mbetet real e i besueshëm, e jo i simuluar nga akterë politikë apo parapolitik. Së fundi, akreditimi i organizatave (që dalin sikur kërpudhat pas shiut) nuk i shërben transparencës, por përkundrazi, e dëmton besueshmërinë e gjithë procesit”, ka shkruar ai.