Lazim Destani u bën thirrje shqiptarëve për unitet dhe dalje masive në zgjedhje

Në një takim të organizuar në Cyrih, me pjesëmarrjen e afaristëve, profesorëve dhe aktivistëve të komunitetit shqiptar në Zvicër, filantropi Lazim Destani përcolli një mesazh të qartë për rëndësinë e unitetit dhe pjesëmarrjes qytetare në zgjedhjet lokale në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në fjalën e tij, z. Destani tha se politika është pjesë e jetës shoqërore, por nuk duhet të kthehet në arsye për përçarje.

“Ne kemi kaluar periudha të vështira si komb. Është e rëndësishme që shqiptarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, duke ruajtur unitetin dhe vëllazërinë. Vetëm të bashkuar jemi të fortë, të ndarë mbetemi të dobët”, u shpreh ai.

Në ngjarje u lexua edhe një përshëndetje e ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Bernë, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, i cili përmes një mesazhi telefonik përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi rolin e diasporës si faktor unifikues.

Takimi mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish, mes tyre Prof. Dr. Omer Xhemaili, Blerim Destani, Dan Ibrahimi, Nazmi Jakurti, Florim Useini, Afrim Mehmeti, Atdhe Jasiqi, Jetmir Alimi, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Dashnim Hebibi, Adis Tairi dhe shumë të tjerë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja në Cyrih tregoi edhe një herë se diaspora shqiptare është e angazhuar dhe e përfshirë në proceset shoqërore dhe politike, duke mbetur një urë e rëndësishme bashkëpunimi dhe solidariteti për shqiptarët kudo që ndodhen.