Raporti i institutit amerikan: SHBA-ja duhet të rishikojë strategjinë e saj për Kosovën
Instituti amerikan për strategji dhe politika “New Lines Institute” ka publikuar së fundmi një raport mbi marrëdhëniet Kosovë-SHBA në çerek shekullin e fundit.
Raporti thekson se roli i SHBA-ve në Kosovë ka kaluar nga mbështetje për krijimin e një shteti të ri në një pozicion mbikëqyrës të një status quo të paqëndrueshme.
Kosova ka bërë përparime të dukshme në konsolidimin e demokracisë së saj, duke u renditur si shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor sipas Indeksit të Demokracisë Liberale të V-Dem.
Megjithatë, raporti thekson se SHBA duhet të trajtojnë partinë Vetëvendosje qoftë në pushtet apo në opozitë si një partner të vërtetë, duke njohur pikëpamjet e saj për interesat sovrane të Kosovës.
“Uashingtoni do të bënte mirë të përdorte mësimet e diplomacisë së tij të kaluar në Kosovë për të përmirësuar qasjen ndaj qeverisë së Prishtinës në të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet në raport.
Sipas raportit, SHBA-ja duhet të vazhdojë të mbështesë fuqishëm dialogun politik Kosovë-Serbi, por jo duke toleruar korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
Pavarësisht sfidave të brendshme dhe mosmarrëveshjes së gjatë me Serbinë, Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm thekson raporti.
Një ndryshim thelbësor ka ndodhur edhe në raportin e Kosovës me SHBA-të. Në vitet e fundit, sidomos nën qeverisjen e Vetëvendosjes, Prishtina ka treguar gatishmëri për të thënë “jo” ndaj kërkesave të aleatit kryesor kur ato bien ndesh me interesat e saj thuhet në raport.
Rekomandimet kryesore të nxjerra nga ky raport përfshijnë:
-Uashingtoni duhet ta trajtoj Vetëvendosjen si partner i vërtetë: SHBA duhet të njohin interesat sovranë të partisë Vetëvendosje dhe të mbështesin përpjekjet e saj kundër korrupsionit, duke mos toleruar asnjëherë kapjen e shtetit.
-Balancimi i kritikave ndaj Kosovës dhe Serbisë: SHBA duhet të aplikojë standarde të barabarta ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund perceptimit se autoritarizmi i Beogradit injorohet ndërsa Prishtina kritikohet. Duke i detyruar të dyja palët të respektojnë standarde të qëndrueshme, SHBA-të mund të forcojnë besueshmërinë e tyre si një ndërmjetësuese parimore.
-Angazhimi me shoqërinë civile: SHBA duhet të angazhohen më thellë me shoqërinë civile të Kosovës, aktivistët dhe mediat e pavarura, duke mbështetur përpjekjet e tyre për transparencë dhe llogaridhënie.
-Mbështetje për të zgjedhur ngërçin mbi situatën në veri të Kosovës: SHBA duhet të mbështesin negociatat e udhëhequra nga BE për të zgjidhur çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke siguruar që vetëqeverisja e serbëve të Kosovës të mos dëmtojë funksionimin e shtetit. Uashingtoni gjithashtu duhet të këmbëngulë që Serbia të përmbushë detyrimet e saj paralele: largimin e strukturave të paligjshme në veri të Kosovës, ndërprerjen e financimit të institucioneve paralele të paligjshme dhe inkurajimin e serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në institucionet demokratike të vendit.
Ndryshe në shtator 2025, SHBA pezulluan dialogun strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë të udhëhequra nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, të cilat janë parë si faktorë të rritjes së tensioneve dhe pasigurisë në veri të Kosovës. Megjithatë sipas raportit Qeveria e Kosovës ka shprehur angazhimin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke pranuar kritikën dhe duke u angazhuar për përmirësim.
Për të paraqitur gjetjet e këtij raporti të martën do të mbahet një diskutim online, ku prezent do të jenë dy autorët e këtij raporti: Mietek P. Boduszynski dhe Victor Peskin.
Gjithashtu pjesë e diskutimit do të jetë edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier dhe Donika Emini nga grupi këshillimor i politikave për Ballkanin në Evropë. /Telegrafi