Covey: Thaçi s’kishte pushtet për të kryer krime
Pyetja e fundit që avokati Luka Mishetiq i parashtroi dëshmitarit amerikan, Jock Covey, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, lidhej me pretendimet se Hashim Thaçi kishte synuar të merrte pushtetin në Kosovë përmes kryerjes së krimeve.
“A keni parë ndonjë gjë që do t’ju bënte të besoni që Hashim Thaçi përpiqej të merrte pushtetin në Kosovë duke kryer krime, qoftë personalisht për t’i kryer këto krime, apo përmes pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që kryenin këto krime, pra në interes të tij”, pyeti Mishetiq, dëshmitarin.
Covey e mohoi këtë gjë.
“Jo. Mendoj që shumë shpejt kemi arritur në vlerësimin se ai nuk e kishte pushtetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë, për më tepër, unë pra ne, arritëm në vlerësim se ai e dinte se nuk i kishte këto kushte, pra këtë fuqi. Ai filloi këtë karrierë duke zbuluar hap pas hapi atë si mund ta bënte për ta kuptuar krijimin e tij politik. Ishte detyra jonë që ta ndihmonim ne në këtë rrugëtim, pra duke punuar me UNMIK-un dhe institucionet, ky ishte angazhimi më i mirë që mund të kërkohej nga një politikan që po bënte atë që duhej. Këto veprime i shërbyen edhe interesave të tij personale, po e arrinte këtë gjë. Ritheksoj se nuk ishte vlerësim që u arrit duke qenë naiv, kishim gjykim të qartë dhe prisnim të shihnim se si Thaçi do shfaqej më tej në raport me neve”.
Covey ndër të tjera tha se Thaçi ishte shumë i zgjuar.
“Ky person, një i ri që ishte ndoshta jo shumë i zhvilluar, por ambicioz dhe shumë i zgjuar, me ambicie politike të cilat ishin përtej aftësisë së tij për t’i imponuar këto ambicie, pamë këtë me interes se si ai po përpiqej të ecte përpara në rrugën në të cilën nuk kishte përvojë”, u shpreh dëshmitari.