Nëse jeni në spital apo burg, sot është afati i fundit për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se sot përfundon afati për regjistrimin dhe evidentimin e votuesve në hospitalizim, shtëpi për të moshuarit, strehimore për mbrojtjen e viktimave, të burgosurit dhe të paraburgosurit për zgjedhjet lokale që do te mbahen më 12 tetor 2025.
Për të mundësuar votimin e kësaj kategorie të votuesve që nuk mund të paraqiten fizikisht në vendvotim, KQZ do të angazhojë ekipe mobile në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Këto ekipe do të vizitojnë adresat e votuesve të regjistruar në ditën e zgjedhjeve.
Procesi i regjistrimit është i ndarë në tri kategori:
Votuesit me lëvizje të kufizuar në institucione – Regjistrimi për këtë kategori ka nisur më 15 shtator dhe përfundon sot, më 2 tetor 2025. Kjo kategori përfshin personat e hospitalizuar, të moshuarit në shtëpi të përkujdesjes, persona në trajtim në institucione të shëndetit mendor, si dhe të burgosurit apo të paraburgosurit.
Votuesit me nevoja të veçanta – Këta janë persona me aftësi të kufizuara fizike apo shëndetësore që nuk mund të dalin nga shtëpia për të votuar. Regjistrimi për këtë kategori ka nisur më 7 shtator dhe do të zgjasë deri më 7 tetor 2025. Aplikimi mund të bëhet online përmes platformës elektronike të KQZ-së ose fizikisht në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunat përkatëse.
Votuesit në rrethana të veçanta – Kjo kategori përfshin votuesit që për arsye sigurie apo që ndodhen në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre. Regjistrimi për ta është hapur më 7 shtator dhe përfundon më 7 tetor 2025. Ata mund të aplikojnë përmes platformës online ose me ndihmën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
KQZ-ja ka njoftuar se platforma për regjistrim https://vpnv.kqz-ks.org do të mbetet e hapur deri më 7 tetor 2025.