Serbë dhe një politikan i AfD-së, pjesëmarrës në forumin e ekstremit të djathtë në Rusi
Përfaqësues të dy organizatave të ekstremit të djathtë nga Serbia dhe një politikan nga partia gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), morën pjesë në një forum të ekstremit të djathtë në Rusi, ku u mblodhën politikanë të ekstremit të djathtë nga disa vende, sipas pamjeve të analizuara nga konferenca.
“Patrulla Popullore”, e njohur për veprimet e saj kundër migrantëve dhe grupi kleriko-fashist “Veprimi Serb” patën përfaqësuesit e tyre në konferencën e organizuar nga Konstantin Malofeyev, një oligark i lidhur me Kremlinin, i cili promovon imperializmin rus dhe është nën sanksione perëndimore për përfshirjen në luftën agresore të Moskës kundër Ukrainës.
Me t’u kthyer në Serbi, “Patrulla Popullore” njoftoi se gjatë tetorit do të mbajë në Beograd një protestë kundër migrantëve.
“Kjo konferencë tregon se Rusia ende beson se disa nga këto grupe dhe lëvizje të ekstremit të djathë mund të jenë të dobishme për arritjen e objektivave të saj gjeopolitike dhe qëllimeve të tjera, përfshirë edhe nxitjen e përçarjeve në shoqëri”, tha për Radion Evropa e Lirë, Michael Colborne, gazetar në median hulumtuese Bellingcat, i cili prej vitesh mbulon ekstremizmin e djathtë.
Informacionet për këtë forum të organizatave të ekstremit të djathtë u bënë publike më 23 shtator.
Megjithatë, Damjan Knezheviq, një nga themeluesit e “Patrullës Popullore” i tha Radios Evropa e Lirë se informacionet për këtë ngjarje u publikuan më vonë me qëllim që delegatët nga shtetet perëndimore “të mos kishin probleme” kur të ktheheshin në shtetet e tyre.
Ai tha se tema kryesore e konferencës ishte “lufta, jo vetëm kundër migrimit të paligjshëm, por kundër migrantëve në përgjithësi”. Sipas tij, në këtë forum u miratua “një deklaratë për punë të përbashkët dhe ndihmë të ndërsjellë” në mesin e organizatave pjesëmarrëse.
“Unë shoh ndihmën më të madhe nga ky forum për organizatat tona nga Serbia në prezantimin e një pamjeje reale të asaj që po ndodh në vendet e Bashkimit Evropian, dhe nga miqtë tanë rusë – organizatat ‘Shqiponjat me Dy Koka’ dhe ‘Bratstvo Akademista’ - presim ndihmë në media dhe të jemi më të përfshirë në atë që po ndodh këtu”, tha Knezheviq.
Knezheviq u gjykua në Gjykatën e Lartë në Beograd për rrëzim të rendit kushtetues përmes dhunës, por në nëntor të vitit 2024 ai u shpall i pafajshëm.
Organizata që ai drejton mori vëmendjen më 2020, kur aktivistët e saj ndalonin migrantët në rrugët e Beogradit dhe u jepnin fletushka me mesazhin që ishin “të ndaluar që të lëviznin jashtë qendrave për migrantë nga ora 22:00 deri në orën 06:00 dhe se nuk mund të lëviznin gjatë ditës në një grup më shumë se tre persona”.
Pjesëmarrës edhe nga AfD-ja
Anëtari i asamblesë së qytetit të Hamburgut nga AfD-ja gjermane, Robert Risch, ishte pjesëmarrës në ngjarjen në Rusi, sipas pamjeve të analizuara nga konferenca.
Një ish-anëtare e AfD-së, e përjashtuar nga asambleja e Hamburgut, gjithashtu mori pjesë në konferencën e mbajtur në Shën Petersburg, e organizuar nga Konstantin Malofeyev.
Në këtë forum të 12 shtatorit në Pallatin Mariinsky të Shën Petersburgut, të epokës perandorake – i cilësuar si konferenca themeluese e një “ligji ndërkombëtare të antiglobalistëve” të quajtur Paladinët – morën pjesë politikanë të ekstremit të djathtë nga vende si Franca, Gjermania, Italia, Meksika, Spanja dhe Afrika e Jugut.
Në disa nga fotografitë e publikuara nga forumi, fytyrat e disa pjesëmarrësve ishin mbuluar, përfshirë një ku shihet një burrë i ulur në tryezën e konferencës pas një pankarte që tregon se ai vinte nga Gjermania.
Por, të njëjtët njerëz shfaqeshin në fotografi të tjera që ishin publikuar pa ndonjë maskim.
Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë (REL) ia tregoi fotografinë e një delegati gjerman Sergej Meierit, studiuesit dhe hetuesit të burimeve të hapura në kanalin gjerman RTL, i cili e identifikoi këtë delegat si Risch.
Një program i Amazonit për njohjen e fytyrës e konfirmoi ngjashmërinë mes tyre.
AfD-ja, e cila në shkurt arriti rezultatin e saj më të mirë historik në zgjedhjet parlamentare, duke fituar gati 21 për qind, është përpjekur të zbusë imazhin e partisë.
Në maj, agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme e shpalli AfD-në parti entitet ekstremist që kërcënon demokracinë, një vendim që partia po përpiqet ta rrëzojë.
Risch nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it përmes emailit, dhe AfD-ja nuk iu përgjigj një letre të dërguar në zyrën e saj në Berlin për komente.
Analizimi i pamjeve nga konferenca dhe rrjetet sociale tregon se një pjesëmarrëse tjetër ishte Olga Petersen, e cila u përjashtua nga AfD-ja dhe nga asambleja e Hamburgut në vitin 2024.
Në mars të atij viti, ajo mori pjesë si vëzhguese në zgjedhjet ku presidenti rus, Vladimir Putin, siguroi një mandat të ri, dhe thuhet se ajo i vlerësoi zgjedhjet ruse “të hapura, demokratike dhe të lira”.
Në shkurt, Petersen - e lindur në Rusi, tu tani jeton - postoi fotografi ku shihej me ushtarë rusë në një pjesë të pushtuar të Ukrainës.
Petersen nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga REL-i përmes Facebook-ut.
Konstantin Malofeyev, një oligark i lidhur me Kremlinin dhe i dashuruar haptazi pas trashëgimisë imperialiste e ortodokse të Rusisë, është nën sanksione perëndimore që nga viti 2014.
Malofeyev është nën sanksione që nga viti 2014 për rolin e tij në nxitjen e kryengritjeve në pjesë të jugut dhe lindjes së Ukrainës dhe për lehtësimin e pushtimit rus të Krimesë.
Ai është gjithashtu në shënjestër të një fletarrestimi ndërkombëtar nën dyshimin për krijim dhe financim të formacioneve të paligjshme paramilitare.
Rrjeti i tij mediatik, Tsargrad, ka qenë instrument kryesor në promovimin e të ashtuquajturit projekti “Novorossia” për ta arsyetuar pushtimet e tokave të Ukrainës nga Rusia.
Ai shërbeu si një platformë vendimtare për përhapjen dhe popullarizimin e ideve të ideologut prorus dhe ekstremist të djathtë, Aleksandr Dugin, i cili shihet ulur pranë Malofeyevit në një fotografi nga konferenca.