ZKA: Komuna e Podujevës s’respektoi hapat për procedimin e pagesave
Në mesin e shkeljeve që ka bërë komuna e Podujevës, hyn edhe mosrespektimi i hapave për procedimin e pagesave.
Kështu të paktën ka treguar Zyra Kombëtare e Audimit në raportin e saj për vitin 2024.
Sipas raportit, të evidentuara janë 10 raste, shuma e të cilave arrin shifrën mbi 370 mijë euro.
“Në 10 raste kemi vërejt mangësitë si në vijim, si në gjashtë (6) prej tyre zotimi i mjeteve dhe urdhër-blerja janë bërë pas datës së faturës dhe pranimit të mallit, kurse në katër (4) raste tjera urdhër blerja është proceduar pas datës së faturës dhe pranimit të mallit. Shuma totale e këtyre rasteve është 370,399€” – Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas raportit, veprime të tilla vendosin komunën në rrezik për obligime financiare gjersa kritikohet edhe mungesa e kontrolleve.
“Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës efektive të kontrolleve të brendshme nga zyra e prokurimit dhe financave, gjatë realizimit të procedurave të blerjes. Mos respektimi i hapave për procedimin e pagesave mund të shkakton rritjen e obligimeve komunale ndaj operatorëve ekonomik. Kryetari duhet të sigurojë se financat dhe zyra e prokurimit do të ndjekin të gjithë hapat për procedimin e pagesave të përcaktuar me Rregullën Financiare për shpenzimin e parave publike” – Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas ligjit, faturat dhe kërkesat për pagim të mallrave ose punëve të realizuara duhet përfunduar brenda 30 ditësh.
E komuna në këto raste, i vonoi me muaj.
“Në 4 raste me vlerë prej 424,332€, kemi vërejtur se komuna nuk kishte kryer obligimet financiare brenda afatit 30 ditësh. Vonesat ishin deri në shtatë (7) muaj nga data e pranimit të faturës. Kjo ka ndodhur për shkak se komuna nuk ka pasur mjete të mjaftueshme financiare dhe ka hyrë në obligime pa bërë ndonjë analizë të mirëfilltë buxhetore”- Zyra Kombëtare e Auditimit.
Mes të tjerash, ZKA përmend rrezikun për obligime financiare gjersa rekomandon që kryetari duhet të përmisojë menaxhimin e fondeve përfshirë, nevojën për analiza të hollësishme buxhetore.
Vlen të përmendet se ka 13 rekomandime të vitit paraprak, Komuna e Poduejvës nuk ka filluar zbatimin e 9 prej tyre./dukagjini