Amnesty International u bën thirrje FIFA-s dhe UEFA-s ta pezullojnë Izraelin

Grupi për të drejtat e njeriut, Amnesty International, u ka bërë thirrje të mërkurën organeve botërore dhe evropiane të futbollit, FIFA-s dhe UEFA-s, ta pezullojnë Izraelin nga futbolli ndërkombëtar.

Prania e gjashtë skuadrave nga vendbanimet në Bregun e uzurpuar Perëndimor në ligat izraelite e shkel ligjin ndërkombëtar dhe rregullat e vetë FIFA-s, tha Amnesty.

Sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard, theksoi se, ndërkohë që kombëtarja e Izraelit përgatitet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Norvegjisë dhe Italisë, Izraeli “po vazhdon të kryejë gjenocid kundër palestinezëve në Rripin e Gazës”.

“Mbi 800 sportistë, lojtarë dhe zyrtarë sportivë janë në mesin e më shumë se 65.000 palestinezëve që forcat izraelite i kanë vrarë në një fushatë të qëllimshme shkatërrimi masiv, shpërnguljeje të detyruar dhe urie ndaj civilëve”, tha ajo.

“Njëkohësisht, Izraeli po zgjeron me brutalitet vendbanimet e tij të paligjshme dhe po legjitimon postet e paligjshme në Bregun Perëndimor si pjesë e pushtimit të tij të paligjshëm të territoreve palestineze”.

Ajo e quajti të “turpshëm” vendimin e Federatës së Futbollit të Izraelit për t’i lejuar klubet nga këto vendbanime të luajnë në ligat e saj, pavarësisht paralajmërimeve të shumta për më shumë se një dekadë.

“Futbolli nuk luhet në një vakum. FIFA dhe UEFA duhet të pranojnë përgjegjësitë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të ndalojnë lejimin e ekipeve kombëtare dhe klubeve izraelite të marrin pjesë në garat ndërkombëtare ose evropiane derisa Federata Izraelite e Futbollit të pezullojë të gjitha klubet nga vendbanimet e paligjshme”, shtoi ajo.

Burime brenda federatave anëtare të UEFA-s bënë me dije javën e kaluar se ekziston mundësia e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të komitetit ekzekutiv të UEFA-s për të diskutuar opsionin e pezullimit të Izraelit për shkak të luftës në Gazë.

Megjithatë, asnjë mbledhje nuk është thirrur.

Këshilli i FIFA-s mblidhet të enjten, por nënkryetari i saj, Victor Montagliani, tha të mërkurën se vendimi për Izraelin është çështje që i takon UEFA-s, si një nga federatat anëtare evropiane.

Presidenti i Federatës Izraelite të Futbollit, Moshe Zuares, duke folur për rrjetin norvegjez TV2 javën e kaluar, tha se pezullimi i vendit të tij “nuk do ta ndalojë një luftë apo atë që po ndodh”.

“Nuk mendoj se ndalimi i futbollit do të ndihmojë në ndonjë mënyrë”, tha ai.

“Nuk pashë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës përfundoi pasi Rusia u përjashtua? Nuk mendoj se përjashtimi i saj zgjidhi ndonjë problem”. /Rel