Qelaj: Ka pasur tendencë për t’i sulmuar verbalisht e akuzuar mediat se po punojnë kundër vendit
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësimin në lidhje me sulmet ndaj mediave.
Ai, teksa fliste për çështjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, tregoi për shqetësimet që janë ngritur nga shoqëria civile në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të mediave.
Qelaj theksoi se në vitet e fundit ka pasur një tendencë për t’i sulmuar verbalisht mediat, si dhe për t’i akuzuar ato se veprojnë kundër interesave të vendit.
“Kemi pasur bashkëpunim edhe me organizatat e shoqërisë civile që janë në vështirësi për shkak të paqëndrueshmërisë financiare, por që ne kemi arritur të krijojmë një forum si platformë ku Avokati i Popullit dhe shoqëria civile hartojnë një plan të veçantë veprimi dhe trajtojnë aspektet që janë të rëndësishme për ne dhe shoqërinë civile. Nëse flasim për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, mund të them se ka pasur shqetësime që janë ngritur nga ne dhe shoqëria civile lidhur me lirinë e shprehjes dhe të mediave. Vitet e fundit ka pasur një tendencë për sulme verbale, por edhe përmes formave të tjera: gjuhë e ashpër, tendencë linçimi, shënjestrim dhe akuza se punojnë kundër interesave të vendit. Disa mediume kanë paraqitur shqetësim për ne dhe ne kemi reaguar në raste kur kemi konstatuar se ka tendenca të tilla”, tha Qelaj.
Ai ka përmendur edhe rastin e punëtorëve të RTK-së.
“Mungesa e vullnetit politik për të gjetur zgjidhje për financimin e qëndrueshëm të RTK-së e ka sjellë në situatën që në fund të muajit korrik, RTK-ja – e vetmja publike – ishte në prag të kolapsit për shkak të mungesës së mjeteve financiare për pagat. Ne e kemi parë me shqetësim dhe kemi reaguar publikisht lidhur me tendencën për të vendosur censurë në këtë institucion. Kemi kontaktuar menaxhmentin dhe sindikatat brenda këtij mediumi dhe kemi punuar në atë drejtim që të sigurohemi që një gjë e tillë nuk do të ndodhë, meqë është në interes të publikut”, u shpreh Qelaj gjatë një takimi me partnerët ndërkombëtarë, i cili u organizua për nder të 25-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit. /EO