Sot mbyllet afati për “Fest 64”, lista publikohet në tetor

Sot është afati i fundit për dorëzimin e materialeve muzikore për edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës në RTSH.

Stafi drejtues i Festivalit i bën edhe njëherë thirrje të gjithë artistëve dhe krijuesve që duan të jenë pjesë e këtij eventi prestigjioz të aplikojnë brenda ditës së sotme.

Ndërkaq, në muajin tetor pritet të publikohet edhe lista me emrat e artistëve pjesëmarrës që janë kualifikuar.

Stafi drejtues i Festivalit kujton se aplikimi bëhet vetëm përmes email-it zyrtar festivali64@rtsh.al dhe çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:

Këngën e plotë në formatin MP3;

Orkestralen bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;

Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;

Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);

Datëlindjen, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;

Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet në festivale si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);

Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;

Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;

Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;

Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me Stafin e Festivalit.

Një element i veçantë i këtij edicioni është se këngët e krijuara me ndihmën e Inteligjencës Artificiale do të skualifikohen menjëherë.

Festivali i Këngës në RTSH mbetet prej dekadash skena më prestigjioze e muzikës së lehtë shqiptare, duke i dhënë fituesit mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong./rtsh