“Shpresoj të mos e sjellë shkopin magjik”, Luis Enrique me lëvdata të mëdha për Pedrin
Të mërkurën, Barcelona do të përballet me kampionët në fuqi të Evropës, Paris Saint-Germain, në ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve.
Hansi Flick dha mendimin e tij mbi këtë përballje, dhe menjëherë më pas foli edhe Luis Enrique.
Sipas Diario AS, trajneri i PSG-së dha vlerësimin e tij për këtë duel shumë të pritur.
“Barcelona ka të njëjtën mentalitet si ne. Të luash kundër një ekipi që ndan të njëjtën filozofi futbolli është emocionuese”.
“Të dy synojmë të luajmë futboll të bukur, pavarësisht rezultatit. E njoh Flick prej kohësh dhe jam i njohur me idenë e tij të lojës. Çelësi do të jetë kush do ta ketë topin”.
Ish-trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, po ashtu shprehu emocionin për rikthimin e tij, megjithëse ka një farë zhgënjimi që ndeshja nuk do të luhet në “Spotify Camp Nou”.
“Nuk mund të them asnjë fjalë të keqe për Barcelonën. Do t’i jem përjetësisht mirënjohës këtij klubi. Gjithmonë ndiej dashurinë e tifozëve. Është e qartë që nuk është njësoj, por gjithashtu më sjell kujtime të bukura nga Montjuic, siç ishte hapja e Lojërave Olimpike të ’92-shit”.
Luis Enrique u pyet gjithashtu nëse neutralizimi i Pedrit do të ishte çelësi i suksesit për skuadrën e tij.
“Ai më njeh shumë mirë. Për mua, ai është Harry Potter, shpresoj të mos e marrë shkopin magjik nesër. Por nuk është vetëm Pedri, ka pafund lojtarë të nivelit të lartë”.
“Me topin, Barcelona është shumë e mirë, por edhe pa top ka shumë burime dhe mënyra loje”, përfundoi ai.