Deliu-Kodra pasi Basha u dënua me 25 mijë euro: Demokracia ndërtohet mbi të vërtetën, jo mbi gënjeshtra e shpifje

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore të Ferizajt, e cila ka shpallur fajtor për shpifje deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Në një postim publik, Deliu-Kodra ka akuzuar eksponentë të Vetëvendosjes për, siç ka thënë ajo, zëvendësim të debatit politik me fyerje dhe sulme personale.

“Fatkeqësisht, eksponentët e Vetëvendosjes janë bërë të njohur për shpifje e sulme personale, duke zëvendësuar debatin politik me fyerje”, shkroi Deliu-Kodra në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.

Sipas saj, vendimi i gjykatës tregon se askush nuk qëndron mbi ligjin dhe se demokracia duhet të ndërtohet mbi të vërtetën.

“Vendimi i Gjykatës së Ferizajt, që shpalli fajtor për shpifje Dimal Bashën, është dëshmi se askush nuk është mbi ligjin. Dinjiteti mbrohet, fjala publike ka përgjegjësi dhe demokracia ndërtohet mbi të vërtetën, jo mbi gënjeshtra e shpifje”, ka përfunduar Deliu-Kodra.