Zëvendësi i Kouchnerit tregon se Thaçi e kishte dënuar dhunën ndaj pakicave etnike

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari James Peter Covey ka treguar se Hashim Thaçi e kishte dënuar dhunën e ushtruar ndaj pakicave etnike, sidomos gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1999.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument i OSBE-së i 28 qershorit të 1999-ës. Sipas avokatit Luka Mishetiq, ky dokument mbante titullin “Lajm për Kosovë: Reagime të brendshme”.

Mishetiqi tha se në dokument thuhej se “në Mitrovicë, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Hashim Thaçi arriti që ta zbuste një konfrontim të mundshëm të dhunshëm ditën e shtunë kur ndaloi qindra persona që të mos kalonin në pjesën e kontrolluar nga serbët në veri. Thaçi e bindi trumën që të tërhiqej. Ai tha se ne do t’i zgjidhim problemet në mënyrë paqësore. Ai ishte i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara”.

Dëshmitari tha se kjo përputhet me atë se çka ka dëgjuar pasi gjëra të tilla ka pasur edhe para se të shkonin ata në Kosovë.

“Gjërat nuk kanë ndryshuar vetëm pse kemi arritur ne aty. Shumë gjëra ne i kemi mësuar me kalimin e kohës. Shpeshherë i kemi mësuar shumë gjëra vite më vonë. Kështu, që kur them që kjo gjë është në përputhje nuk është kjo gjë që e kam ditur në atë moment se kur kam arritur dhe në fakt më impresionon fakti që ato gjëra që ka thënë zoti Thaçi janë nga kjo koha e mëparshme. Kështu që ne nuk mund të themi që është roli ynë që e ka bërë që ai t’i thotë këto gjëra. Është një proces që kishte filluar përpara mbërritjes tonë”, tha dëshmitari Covey.

Mishetiq kur kërkoi pranimin e këtij raporti në prova, tha se duhet të jetë konfidencial pasi që i është kërkuar nga ofruesi i informacionit.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument që ishte artikull gazete i datës 26 korrik 1999, katër ditë pas sulmit në Grackë të Lipjanit.

Mishetiq tha se në këtë artikull thuhet se “Qeveria e Përkohshme e Kosovës dënon vrasjen në Grackë të Lipjanit. Është tentim për pengimin e procesit të stabilizimit”.

Sipas Mishetiqit, në këtë artikull thuhet se Qeveria e Përkohshme e Kosovës ka lëshuar deklaratë ku ka thënë se sulmues të paidentifikuar vranë 14 qytetarë të kombësisë serbe në Lipjan.

Si rrjedhojë, avokati tha se ky dokument tregon se nëpërmjet deklaratës, Qeveria e Përkohshme e Kosovës e kishte dënuar këtë krim dhe ishte shprehur ngushëllimet familjeve të të vrarëve.

Dëshmitari Covey tha se kjo deklaratë e Qeverisë së Përkohshme ishte në përputhje me deklaratat e Hashim Thaçit lidhur me këtë rast.

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument i 24 korrikut 1999, i cili mban titullin “Thaçi thotë se nuk do të lejojmë që në Kosovë të dominojë anarkia”.

Për këtë, Covey tha se kjo përputhet me atë që i kujtohet se ka thënë Thaçi për mënyrën se si e ka trajtuar dhunën ndaj pakicave etnike.

Ndryshe, dëshmitari tha se nuk ishte e papritur që Agim Çeku dhe Hashim Thaçi të quheshin tradhtarë nga grupet ekstremiste pasi nënshkruan Marrëveshjen e demilitarizimit. /BD