KQZ-ja miraton procedurat për vëzhguesit e zgjedhjeve lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 60-të këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku mori vendime të rëndësishme për organizimin e Zgjedhjeve Lokale 2025, që do të mbahen më 12 tetor.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja emëroi gjithsej 15,505 anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve, duke përfshirë 14.305 anëtarë për 2.571 vendvotime të rregullta dhe 54 vendvotime me kusht, si dhe 1.200 anëtarë rezervë. Këshillat e Vendvotimeve do të jenë përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe qetësisë gjatë procesit të votimit dhe numërimit nën mbikëqyrjen e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, njofton zyra për informim e KQZ-së.

Procesi zgjedhor në Kosovë do të organizohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra për votimin e rregullt dhe 38 qendra për votimin me kusht.

Gjithashtu, bëhet e ditur se KQZ-ja miratoi procedurën standarde për të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në zgjedhjet lokale 2025.

Kjo procedurë përcakton rregullat e sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve gjatë procesit të votimit dhe numërimit dhe do t’u dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ-ja.