Shpërbërja në disa parti gjatë ’99-s, Covey: Kishte një lloj përçarjeje në UÇK

Udhëheqësi i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, lexoi një dokument “Raporti i krizës në Ballkan”, i cili mbante datën e 20 shtatorit të vitit 1999.

Në këtë dokument thuhej se lidhershipi i UÇK-së ishte shpërndarë në disa parti.

“Lidershipi i UÇK-së është shpërbërë në disa parti, partia PBD që drejtohej nga Bardhyl Mahmuti dhe e cila binte më shumë në sy që ia ka dalë të tërheq mbështetjen e shumë përfaqësuesve dhe komandantëve të respektuar në terren të UÇK-së. Hashim Thaçi kryeministër i përkohshëm i Kosovës, e cila nuk njihej nga UNMIK, njoftoi se edhe ai do të formonte partinë e tij politike pa dhënë hollësi. Ai vizitoi fshatin e Prekazit ku u takua me Rifat Jasharin, që është i vetmi vëlla i mbijetuar i familjes së Adem Jasharit. Mbështetja e familjes së Jasharëve do të ishte avantazh në zgjedhje. Ai u takua edhe me komandantin e Drenicës së UÇK-së, por kishte ndasi midis Thaçit dhe Mahmutit, i cili ka mbështetës të tij brenda segmentit të UÇK-së. Megjithatë këto janë lojtarë politikë të rinj dhe nuk është e qartë çfarë agjende politike do të jenë ato”, lexoi Mishetiqi.

Ai pyeti dëshmitarin amerikan, Jock Covey, nëse ishte në dijeni gjatë asaj kohe se UÇK-ja ishte shpërbërë në disa fraksione.

“Kishim informacione që nuk kishte konsensus të qartë ndërmjet individëve të lartë të UÇK-së, kishte një lloj përçarje por nuk e dinim deri në çfarë mase ishte kjo përçarje. Ishim të informuar që nuk kishte konsensus ndërmjet udhëheqësve të lartë të UÇK-së”, tha Covey.