Shqipëria festoi Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore me aktivitete në mbarë vendin

Në gjithë Shqipërinë u zhvilluan dje aktivitete të shumta për të shënuar Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, duke e kthyer këtë ditë në një festë për qytetarët e të gjitha grup-moshave.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, publikoi një fotoalbum me disa prej momenteve të këtyre veprimtarive, ku u përfshinë ekspozita, koncerte, punëtori për fëmijë, vizita në site arkeologjike dhe performanca artistike në sheshe e qendra kulturore.

“Me fotoalbumin e disa momenteve nga aktivitetet e realizuara dje në mbarë Shqipërinë, për të gjitha grupmoshat, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ju uroj ditë të mbarë!”, u shpreh ministri Gonxhja.

Qytete si Tirana, Shkodra, Berati, Gjirokastra, Elbasani e Korça mirëpritën vizitorë vendas e të huaj që iu bashkuan aktiviteteve, duke i dhënë një frymë të re promovimit të trashëgimisë sonë të pasur historike e kulturore.

Kjo ditë shënon jo vetëm respektimin e së shkuarës, por edhe angazhimin për ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave kulturore te brezat e ardhshëm. /kultplus