Lëndohet Arbër Hoxha, rrezikon përballjen ndaj Serbisë

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Arbër Hoxha, është në dyshim për ndeshjen e rëndësishme kundër Serbisë.

Hoxha, që këtë sezon po kalon një formë të shkëlqyer me Dinamon e Zagrebit, pësoi një lëndim muskulor gjatë sfidës së fundit të kampionatit kroat, ku kontribuoi me një gol dhe një asist në fitoren 4–1 ndaj Slaven Belupos. Ai u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 45 minutash lojë.

Sulmuesi i krahut pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve shtesë për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.

Mungesa e tij do të ishte një humbje e madhe për përzgjedhësin Sylvinho, i cili tashmë nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Marash Kumbulla.

Shqipëria do të përballet me Serbinë më 11 tetor në Leskovc, në kuadër të Grupit K të kualifikimeve për Botërorin 2026./rtk