Dogana ndalon pajisje mjekësore të padeklaruara në Merdar

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 04:50 të mëngjesit sot në Pikën Kufitare të Kalimit në Merdar, gjatë një kontrolli rutinë të zhvilluar nga zyrtarët doganorë, është ndaluar një automjet në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës për një kontroll të zakonshëm kufitar.

Sipas njoftimit, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra për deklarim, por pas një kontrolli të detajuar të automjetit në bagazh janë zbuluar pajisje mjekësore të padeklaruara.

"Më konkretisht, janë gjetur 8 (tetë) defibrilatorë të përdorur të markës Lifepak Medtronic, 3 (tre) defibrilatorë të rinj të markës Physio-Control Lifepak CR2, si dhe 2 (dy) pako ndihme të parë. Mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj këtij rasti është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK)", thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe në garantimin që pajisjet mjekësore që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës të jenë të sigurta, të certifikuara dhe të kontrolluara sipas standardeve të përcaktuara me ligj.