Kurti në New York: Diaspora shqiptare, urë lidhëse mes Kosovës dhe SHBA-së
Gjatë qëndrimit në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga përfaqësues dhe anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë, APEN.
Qeveria njofton se në një bashkëbisedim me ta, Kurti shprehu fillimisht mirënjohjen për punën dhe dedikimin e APEN për të krijuar platforma që i sjellin më pranë profesionistët shqiptarë, si dhe për mundësinë për t’u bërë bashkë me njëri tjetrin në këtë takim.
“Jemi mbledhur këtu sot jo vetëm si profesionistë, por si shqiptarë krenarë, të bashkuar nga një trashëgimi e përbashkët dhe angazhim për të ndërtuar ura midis atdheut dhe komunitetit tonë në diasporë”, tha Kurti.
Sipas njoftimit, Kurti tha se komuniteti ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë burim krenarie, për angazhimin e tyre të palëkundur dhe kontributin si në SHBA ashtu edhe në atdheun tonë.
“Në biznes, teknologji, drejtësi, mjekësi, akademi apo art, ju çoni përpara një traditë të përsosmërisë dhe qëndrueshmërisë që përcakton se kush jemi ne si popull. Suksesi juaj si profesionistë dhe angazhimi juaj në komunitetin shqiptaro-amerikan këtu, është provë se diaspora jonë nuk është vetëm një komunitet jashtë vendit, por një forcë lëvizëse për inovacion, rritje dhe progres në të dy anët e atlantikut”, u shpreh Kurti.
Vizioni i qeverisë për angazhimin e diasporës ishte po ashtu temë e diskutimit. Me këtë rast, Kurti theksoi se në këtë mandat ka filluar ngritja e projekteve serioze me në qendër profesionistët e rinj, që ka për qëllim lidhjen mes njohurive, burimeve dhe rrjeteve.
“Përmes Bursës së Diplomacisë Qytetare, ne po sjellim profesionistë të rinj nga diaspora në sektorin tonë publik, duke ju lejuar të kontribuoni me ekspertizën tuaj dhe të formësoni të ardhmen e Kosovës, jo vetëm përmes lidhjeve familjare, por edhe përmes angazhimit profesional dhe qytetar. Ne duam të tregojmë se Kosova sot është një republikë e suksesshme, demokratike, e zhvilluar, në Evropë, ku mund të kontribuosh dhe të përfitosh”, theksoi ai.
Në njoftim thuhet se gjersa i njoftoi pjesëmarrësit edhe me Dritaren për Investimet e Diasporës, si pjesë e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ai tha se këto nuk janë vetëm programe, por edhe ura midis brezave, profesioneve e mes atdheut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Unë besoj se ne mund të arrijmë shumë duke punuar krah për krah me diasporën tonë, me qëllimin për një komunitet të unifikuar që tejkalon secilin prej nesh si individë. Mendoj se çfarë duhet të bëjmë më shumë si shqiptarë kudo ndodhemi është të investojmë në sukseset e njëri tjetrit dhe në suksesin e gjeneratave të ardhshme”, tha Kurti, duke theksuar se progresi i komunitetit tonë në New York dhe nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës është thellësisht i ndërlidhur edhe me të ardhmen e atdheut tonë.
APEN është një rrjet i themeluar në vitin 2007 nga të rinj shqiptaro-amerikan në New York, që ka për qëllim të bëjë bashkë profesionistët shqiptarë atje dhe të avancojë komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara.