Kurti: Disa diplomatë amerikanë vlerësojnë se s’po ju ndihmojmë që ta shkëpusin Serbinë nga Rusia

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një bashkëbisedimi me rininë e diasporës në kuadër të vizitës në SHBA u pyet për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Teksa deklaroi se kjo lidhet me mbylljen e strukturave paralele serbe në veriun e Kosovës, Kurti tha se me SHBA-në kanë pengesa vetëm në diplomaci pasi sipas tij, disa diplomatë e politikanë amerikanë vlerësojnë se Kosova nuk po iu ndihmon ta shkëpusin Serbinë nga Rusia.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne duke qenë të palëkundur në zbatimin e ligjit, demokracisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA, vlerësojnë se ne nuk po iu ndihmojmë SHBA-ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht ky s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin, ashtu është. Pra, unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës dhe nëse jemi pak më të butë me Beogradin, kjo s’është provuar kurrë e dobishme, sepse sa më mirë të silleni me ta, aq më keq bëhen. Autokratëve dhe diktatorëve nëse u shfaq pak bujari, mendojnë se ke frikë prej tyre, jo se po tregohesh bujar”, deklaroi Kurti

Kryeministri Kurti tutje theksoi se ndërkombëtarët e shohin shumë ndryshe nga paraardhësit e tij dhe sipas Kurtit këtu qëndron problemi.

“Unë nuk jam kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës mos e arrestoni këtë kriminel serb, sepse mund të na qortojnë nga Brukseli dhe Washingtoni. Nëse e kapin, mirë për Policinë e Kosovës, keq për të. Unë iu dukem shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Kjo është barra e lënë nga paraardhësit e mi që kanë qenë shumë të butë. Unë jam normal, dukem pak ekstrem, por kjo është për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normal”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Kosova me SHBA-në ka marrëveshje tridimensionale dhe në fushën e mbrojtjes qëndron më së miri.

Këto deklarata, Kurti, i bëri gjatë një bashkëbisedimi me rininë e diasporës, kur u pyet për arsyen e pezullimit të dialogut të planifikuar strategjik me SHBA-në. Ndërsa, paradite njoftoi se ka marrë pjesë në një organizim të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në shënim të ditëlindjes së 85-të të Joseph DioGuardit, ish-kongresistit amerikan, dhe bashkëshortes së tij, Shirley në 75 vjetorin e saj.

Mes tjerash Kurti deklaroi se Joe DioGuardi luajti një rol qendror në sjelljen e zërit të shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka udhëtuar për në ShBA me datën 25 shtator.