Inteligjenca Artificiale ndikon në rritjen e numrit të turistëve në Shkodër

Interesimi i vizitorëve për Muzeun Historik të Shkodrës ka ardhur gjithnjë në rritje dhe një pjesë e këtij suksesi lidhet me përdorimin e platformave të inteligjencës artificiale.

Drejtuesja e muzeut, Majlinda Laçaj, thekson se këto platforma e kanë bërë më të lehtë për turistët të gjejnë informacione, t’i planifikojnë vizitat e tyre dhe të njihen me historinë e qytetit përpara se të mbërrijnë në Shkodër.

“Tashmë jo vetëm mediat por edhe ChatGPT po bën punën e tij. Kur pyesim turistët pse kanë zgjedhur Shkodrën, ato shprehen “ma ka sugjeruar ChatGPT””, tha Laçaj.

Ndërkohë, eksperti i mjedisit Ervis Krymbi shpjegon se AI po përdoret edhe në sistemet e monitorimit të mjedisit, ku është i përfshirë edhe vendi ynë.

Kjo teknologji lejon mbledhjen dhe analizimin në kohë reale të të dhënave duke ofruar mundësinë për ndërhyrje më të shpejta dhe më efektive për mbrojtjen e natyrës.

“Sa i përket sistemit të monitorimit të mjedisit evropianë, ku është e përfshirë edhe vendi ynë, imazhet e shumta satelitore japin sinjalizime për ndërhyrje në kohë. Një ndërthurje e saj dhe terrenit do të siguronte një mbrojtje më të mirë të territorit”, u shpreh eksperti i mjedisit.

Përfshirja e inteligjencës artificiale si në kulturë ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit shihet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik.

Ekspertët thonë se ky është vetëm fillimi dhe se përdorimi i saj do të zgjerohet edhe në fusha të tjera, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shkodrës./rtsh