Gjyqi në Hagë, Rama: Shkelje të panumërta, nevojë për rezolutë të përbashkët Shqipëri–Kosovë
Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nuk është demokratik, dhe kjo sipas tij, “është shumë e rëndë”.
Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, po ndodhin shkelje shumë të rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit.
Kryeministri nënvizoi rëndësinë e daljes me një rezolutë të unifikuar të Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, ku të vihen në dukje të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit.
“Fola për mungesën e vullnetit për të marrë një hap qoftë edhe simbolik. Unë besoj se do të ishte një hap që do të kishte një jehonë të caktuar në rast se do të bashkoheshin të dy Kuvendet dhe në rast se ne do të ndërmerrnim një ofensivë diplomatike për ta çuar këtë qëndrim të unifikuar në të gjitha kancelaritë duke bashkëlidhur të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit”, u shpreh Rama.
Rama tha se “ne vazhdojmë të mendojmë se drejtësia ka punën e vetë dhe ne kemi punën tonë”.
“Komentet që mund të bëjmë individuale, janë individuale, por ajo që mund të bëjmë institucionalisht është të nxjerrim në pah shkeljet shumë të rënda dhe vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit. Procesi nuk është demokratik dhe kjo është shumë e rëndës, që procesi gjyqësor nuk është demokratik, është shumë e rëndë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “i gjithë procesi nuk është demokratik, qysh nga fillimi”. “Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akuzë dhe kyçja e tij brenda në burg, tek mbajtja në burg me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, që nuk ka asnjë provë për asnjë lloj kërcënimi, dhe deri tek përgjimi në sallën e takimeve. Gjëra të paimagjinueshme, gjëra të pakuptueshme, që janë të panumërta. Tek fshehja e një pjese të rëndësishme të dëshmive për avokatët me idenë e sigurisë”, shtoi ai.
Rama theksoi se e ka ndjekur procesin nga kjo anë dhe shkeljet janë të panumërta.
“Në asnjë vend demokratik një proces i tillë nuk do të kishte shkuar dot para kaq qetësisht për kaq vite, sepse organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore nuk do të kishin ndenjur dot duarkryq përballë një procesi të tillë”, shtoi ai./atsh