Policia sërish gjen armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale në veri

Policia e Kosovës sot ka gjetur armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale në podrumin e një ndërtese në Mitrovicë të Veriut.

“Më datën 27.09.2025, stacioni policor në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), kanë pranuar informacion se në një podrum të një ndërtese afër Sheshit “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut mund të gjendeshin gjëra të kundërligjshme”, ka njoftuar Policia.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta operative dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar:

1 pushkë automatike

1 pushkë gjahu

50 fishekë

1 kondak pushke

1 palë pranga

1 mbajtës pushke

1 maskë kundër helmeve me çantën e saj

1 këllëf arme

5 karikatorë të zbrazët

“Lidhur me rastin është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Për momentin nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës fton qytetarët që çdo informacion lidhur me armë ilegale, substanca narkotike apo veprimtari të tjera të kundërligjshme ta raportojnë menjëherë përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

Bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë është i domosdoshëm për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar veprimet e kundërligjshme./Zëri