Bllokada politike në Kosovë – A mund të shkojë vendi sërisht në zgjedhje?
Kanë mbetur edhe tri ditë afat që Gjykata Kushtetuese të jap vendimin e saj për ankesën e Listës Serbe, që e bëri ndaj kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha i cili konstitutoi Kuvendin pavarëëisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minioriteti serb, raporton Ekonomia Online.
Pa çka Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar se vendi është në një situatë të rëndë institucionale, duke kërkuar respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe duke paralajmëruar se në mungesë të shumicës politike vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj për Ekonomia Online tha se presin aktgjykimin e radhës të Kushtetueses dhe theksoi se Kuvendi duhet të konstituohet në tërësi.
“Ne po presim së pari aktgjykimin e radhës të Gjykatës Kushtetuese shumë i rëndësishëm ky, presim që do të kthemi në Kuvendin e Kosovës dhe do të vazhdojmë tutje me votim sepse duhet të konsistuohen në tersi Kuvendi i Kosovës. Nuk e dimë me saktësi se çfarë do të jetë vendimi final apo aktgjykim final por me gjasë do të shkojmë prapë në votim në pako për nënkryetarët e komuniteteve”, tha ai.
Ai ka shtuar se viti aktual ka qenë i humbur për vendin.
“Ky ka qenë vit i vështirë t’ju them të drejtën për vendin në përgjithësi edhe në aspektin politik, po pastaj edhe efektet i pamë edhe në rrafshin ekonomik, është vit i humbur në tërësi, tani po hyjmë në zgjedhje lokale. Kurse në anën tjetër nuk i kemi institucionet të konstituara. Ne presim që këto institucione të krijohen sa më shpejt nëse ka rrethana dhe mundësi me u krijuar. Por po shihet që është shumë e vështirë sepse ka mungesë shumice. Krejt ky problem është i krijuar në vazhdimësi prej fituesit të zgjedhjeve për shkak të mungesës së shumicës politike në Kuvend”, ka thënë Zogaj.
Por nëse nuk do të ketë një zgjidhje tjetër, Zogaj propozon që partitë të ulën e të diskutojnë për zgjedhje të reja.
“Nëse vazhdojmë tutje e zgjedhim nënkryetarin e radhës atëherë duhet me vazhdu me institucionet tjera me formimin e Qeverisë. Duhet që të ulen partitë politike dhe të diskutojnë haptazi për zgjedhjet e radhës sepse kjo kështu më nuk ka kurrfarë kuptimi”, ka përfunduar ai.
Nga ana tjetër, anëtari i AAK-së, Haki Abazi, tha se çdo tentim për të ndikuar ose goditur Gjykatën Kushtetuese është goditje mbi Kushtetutën dhe pavarësinë e shtetit.
“Ne presim respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe asgjë tjetër, nuk mund të ketë ndikim të politikës tek Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të ketë kërcënim për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, derisa ata janë zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës. Çfarëdo lloj tentimi, çfarë po shohim për goditje qoftë të Gjykatës qoftë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është goditje mbi Kushtetutën dhe pavarësinë e shtetit. Nuk mund të lejohet një sjellje e tillë, ne sigurisht që nuk do të bëjmë një gabim të tillë sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, nuk mund të interpretohen nga partitë politike”, ka thënë ai.
Abazi ka shtuar se nuk pret formim të qeverisë në rrethana të tilla.
“Jo nuk pres përveç nëse do të arrihet që të bëhet shumica e partive të tjera. Është e qartë që për më shumë se një vit Kurti është i interesuar që të mos ketë parlament mbi të cilin duhet të jepet llogaria dhe gjithashtu Kurti e di qartazi që e ka të pamundur të formojë qeveri. Ai është i identifikuar si tradhtar i të gjitha marrëveshjeve politike, qoftë me individ, qoftë me parti politike, rrjedhimisht askush nuk do që të kalojë rrugës së njëjtë të tradhtisë politike që ka kaluar në të kaluarën. Është shumë e vështirë për LDK-në, për PDK-në, për AAK-në që të bëjnë gabime të njëjta nga e kaluara duke i besuar një njeriu i cili realisht është i pa besë. Rrjedhimisht besoj që duke mos qenë në gjendje që të formojë qeveri vetë, është i interesuar që të sabotojë çfarëdo mundësie të funksionalitetit të institucioneve dhe jam shumë i bindur që në një moment të caktuar do të arrijmë deri tek pika për zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka theksuar ai.
Hedhja ndaras në votim e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet pakicë më 5 shtator çoi Gjykatën Kushtetuese të vendoste një masë të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime për formimin e qeverisë së re për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.
Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për veprimin e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb. Gjykata ka sqaruar se vendimi i saj u mor ex officio dhe mbi bazën e kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për të evituar “rreziqe ose dëme të pariparueshme”.