Rama ironizon gjyqin në Hagë për ish-krerët e UÇK-së: Nuk e besoj dot ku e kanë gjetur një dëshmitar kaq serioz

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me procesin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale, e shkëputur nga një seancë gjyqësore ku shfaqet Haxhi Mazreku, një ish-komandant njësie i UÇK-së.

Kryeministri Rama ka shkruar krahas videos: “Nuk e besoj dot ku e kanë gjetur një dëshmitar kaq serioz, po nuk i thonë kot drejtësi ndërkombëtare, nivel i lartë shumë”.

Në pamjet e publikuara në video, dëshmitari shprehet se sipas tij “UÇK-ja ka qenë si dikur çobanët”.

“Unë kam mbaru një hytbe, se unë jam mjeshtër i drurit, hytbe të xhamisë prej druri”, tha ai.

“Jam mjeshtër dhe mjeshtër me kualitet. Për Nazir Mazrekun është kushëriri jem. Dhe ka qenë kryetar i Socialistes (partisë së Millosheviçit). Në Opterushë ka shërbyer si kryetar dhe gjoja me e marrë këtu se ka shërby si bashkëpunëtor, s’ka të bëjë me bashkëpunëtorë ai”, vijon dëshmitari.

Sipas dëshmisë në gjyqin e Hagës, dëshmitari shprehet se “çobani i keq i ka çuar dhent te gropa e ujkut”.

Ndërkohë në Hagë po vijojnë të dëgjohen dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja.

Pak ditë më parë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmës sekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. /atsh