Spiropali në OKB: Diella, hap strategjik për të forcuar transparencën në qeverisje
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali mori pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë në Këshillin e Sigurimit mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, Spiropali deklaroi se, “Shqipëria mbështet fuqimisht përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të ndërtuar një kuadër global për përdorimin e sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale”.
Spiropali theksoi se, “inteligjenca artificiale ofron mundësi të paprecedenta për të mbështetur zhvillimin, qëndrueshmërinë dhe parandalimin e krizave.
Në këtë drejtim, Spiropali bëri thirrje që shtetet duhet të kapërcejnë ndarjet digjitale, të forcojnë kapacitetet dhe të ndajnë praktikat më të mira, duke siguruar që inovacioni të udhëhiqet nga të drejtat e njeriut, e drejta ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Spiropali nuk la pa përmendur edhe rastin e Shqipërisë, si një vend që është tejet i përkushtuar për të zhvilluar politika dhe institucione me vizion për të shfrytëzuar në mënyrë të përgjegjshme potencialin e Inteligjencës Articiale.
“Vetëm javën e kaluar, Kryeministri Edi Rama emëroi “Diellën”, një ministre të integruar me Inteligjencë Artificiale, duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në botë që përfshin një sistem inteligjence artificiale në nivel qeverisjeje të kabinetit qeveritar. Ajo është një hap strategjik për të forcuar transparencën, për të përshpejtuar efikasitetin dhe për të integruar Inteligjencën Artificiale në politikat kombëtare, duke u udhëhequr nga parimet e etikës, inovacionit, luftës kundër korrupsionit dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh ajo, raporton Atsh.