KFOR: S’kemi identifikuar shkelje të hapësirës ajrore me dronë në Kosovë

KFOR-i ka thënë se s’kanë identifikuar ndonjë shkelje të hapësirës ajrore me dronë në territorin e Kosovës.

Në një përgjigje për “Zërin”, KFOR-i ka thënë se e kanë në monitorim rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion

“Lidhur me pyetjen tuaj, nuk kemi identifikuar shkelje me dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në gjithë Kosovën. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, prandaj KFOR monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Zeri.info.

Tutje, Misioni thekson se çdo aktivitet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër siç e quajnë ata, Vijës Administrative Kufitare, të koordinohet në mënyrë të përshtatshme me KFOR-in për të shmangur tensionet dhe për të garantuar sigurinë.

“KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. Ai vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë nga OKB-ja, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”, thotë KFOR-i.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës, duke përfshirë ministrinë në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë thënë se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga Serbia, kohët e fundit. /Zëri