Iljasa Zulfiu, “Ylli i Javës” së gjashtë në Albi Mall Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e gjashtë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të KF Dukagjinit, Iljaza Zulfiut, i cili hyri në ndeshje si zëvendësues dhe shënoi golin e epërsisë për skuadrën e tij, duke ndikuar shumë në ngritjen dhe organizimin e lojës. Në fund, skuadra klinase shënoi fitore kundër KF Llapit me rezultat 3:1, njofton Federata e Futbollit e Kosovës, transmeton “Zëri”.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga: Skender Kapra, Luan Tabaku dhe Murat Zejnullahu.
Pasi mori këtë çmim, Zulfija u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Ndeshja e ditës së djeshme ishte shumë e rëndësishme për ne. Gjithë javën jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe arritëm të marrim tri pikët. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm, siç kemi qenë deri më tani.
Qëllimet e KF Dukagjinit janë që t’i marrim secilën ndeshje një nga një, pa eufori, dhe të synojmë daljen në Evropë. Shpresoj që ta arrijmë këtë sukses.
Falënderoj stafin e trajnerëve dhe bashkëlojtarët, sepse pa ndihmën e tyre nuk do të isha sot këtu.
Uroj të vazhdojmë kështu drejt sukseseve”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.