“Do të më mungojë Kosova” - Rohde jep lamtumirën pas 5 vjetësh shërbim, ia “gjuan” topin pasardhësit të tij Rudolph

Rohde tha se do t’i mungojë Kosova, duke përmendur motin, mirësjelljen e njerëzve dhe ecjet në male.

Ai kujtoi se shpesh përdorte biçikletën e tij malore në parkun e Gërmisë, duke shtuar se këto përvoja do t’i mungojnë pas kthimit të tij në Berlin.

“Pas pesë vitesh këtu, duhet të them lamtumirë dhe do të më mungojë Kosova. Jo vetëm moti, por edhe mirësjellja e njerëzve, ecjet në male… Kam pasë një kohë të mrekullueshme këtu”, u shpreh ambasadori gjerman.

Në reflektimin e tij mbi mandatin, Rohde përmendi liberalizimin e vizave si një nga arritjet kryesore, ndërsa si dështim e cilësoi mungesën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Liberalizimi i vizave në vitin 2024 ishte një arritje e madhe. Ka edhe gjëra që nuk u realizuan, si anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Lidhjet mes vendeve tona janë unike – mbi 600 mijë kosovarë ose gjermanë me prejardhje kosovare jetojnë në Gjermani dhe ky numër vazhdon të rritet. Jam i bindur se raportet tona do të forcohen edhe më tej”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Rohde u bëri thirrje kosovarëve ta presin me të njëjtën mikpritje pasardhësin e tij, ambasadorin e ri Rainer Rudolph, i cili pritet të mbërrijë së shpejti në Kosovë.

Si një fans i madh i futbollit, në fund të videos Rohde zgjodhi një mënyrë simbolike për ta përmbyllur mandatin e tij – duke ia “pasuar topin” pasardhësit të tij.

Thank you for five wonderful years and don't forget to keep the ball rolling.

[image or embed]

— Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) September 26, 2025 at 9:42 AM