Gazmend Hoxha: Dronë të dyshuar nga Serbia fluturuan në veri të Kosovës, Policia në koordinim me KFOR-in
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë.
Ai tha se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, tha Hoxha pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve.
Ai theksoi se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it”, u shpreh Hoxha.
Më tej, ai bëri të ditur se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia i takon KFOR-it.
“Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR-i është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim”, tha Hoxha. /EO