Çka pritet nga vizita e Kurtit në SHBA?
Të mërkurën në mbrëmjë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria, thuhet se ai do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Gjatë qëndrimit atje, gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës. Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, kanë lajmruar nga Zyra e Kryeministrit.
Profesori universitar, Avdi Smajlaj vlerëson se kjo është mundësi e mirë për vendin të krijojë marrëdhënie edhe me shtetet mos-njohëse.
“Normalisht në takime të tilla ndoshta do duhej punuar edhe për t’i aranzhuar takime të tilla sepse jo çdo herë çdo takim mund të jetë i frytshëm. Sidomos takimet që mund të ndodhin edhe në korridoret e hollet të venidt ku mbahen këto takime ndoshta janë më pak të frytshme krahasuar me takimet që janë të aranzhuara paraprakisht në të cilat Kosova ka një mundësi që ta prezentojë vetveten, t’i prezentojë të arriturat, ambiciet e veta e kështu me radhë”, ka thënë Smajlaj.
Ai shton se kjo vizitë duhet shfrytëzuar për diskutim edhe për pezullimin e dialogut strategjik nga ShBA-ja me Kosovën.
“Nuk është thënë se ka një aranzhim të tillë, megjithatë në këtë forum të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së marrin pjesë edhe delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtu kryeministri do duhej ta shfrytëzonte edhe për këtë takim në njëfarë mënyrë që ta shpjegojë pozicionin e shtetit të Kosovës karshi vërejtjeve që i kanë ngritë ShBA-ja për Kosovën dhe shtetin e Kosovës”, është shprehur tutje Smajlaj.
E sipas politologut, Albinot Maloku pezullimi i dialogut strategjik ka zbehur rëndësinë e kësaj vizite të Kurtit.
“Ka pasë shkuarje të krerëve shtetërorë atje me synimin thelbësor që të ketë njohje të reja për Republikën e Kosovës. Unë këtë vizitë gjithsesi nuk mundem me pa në raportin e interesit shtetëror të Republikës së Kosovës sesa në raportin individual e krejtësisht personal të z. Kurti për të ndryshuar një imazh që është për të përveçse fakt të interesit për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Maloku.
Bashkë me Kurtin, pjesëmarrëse në Asamble pritet të jetë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani./teve1