Qendisja me grep e Koniakow-it, nga traditë polake në modën luksoze botërore

Dantella e Koniakow-it, një mjeshtëri e trashëguar brez pas brezi në Poloni, po shkëlqen sot në botën e modës së lartë.

Ky art i qëndisjes me grep, i praktikuar në fshatin Koniakow në jugperëndim të vendit, është përfshirë edhe në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s.

Pothuajse çdo grua në këtë fshat e zotëron këtë aftësi, të mësuar që në fëmijëri. Wieslawa Juroszek, njëra prej mjeshtreve, kujton se nisi punën e saj të parë vetëm 6 vjeçe. Sot, rreth 700 gra janë të angazhuara në këtë traditë të veçantë.

Unikaliteti i dantellës së Koniakow-it qëndron tek fakti se nuk përdoren shabllone – çdo motiv lind nga imagjinata dhe përvoja e artizaneve. Nga përdorimi tradicional në altarë e tavolina, kjo dantellë ka kaluar në pasarelat më prestigjioze të botës.

Marka të mëdha si Dior, Dolce & Gabbana dhe stilistja polake Magda Butrym e kanë përfshirë në koleksionet e tyre. Në Javën e Modës në Paris (2018), Rei Kawakubo e përdori në një xhaketë nusërie, ndërsa së fundmi ka arritur deri në kopertinën e Vogue, duke e shndërruar në një fenomen ndërkombëtar.

Një ngjarje e rëndësishme për këtë trashëgimi është festivali veror “Ditët e Dantellës së Koniakow-it”, ku mbahen punëtori, demonstrime dhe takime me mjeshtret e zonës.

Sot, brezat e rinj po i japin një frymë moderne kësaj tradite, duke e dokumentuar online dhe duke e shndërruar dantellën e Koniakow-it në një markë botërore të modës luksoze./kultplus