Dr. Ali Iljazi – nostalgjia e një humanisti, trashëgimia që vazhdon
Si një i ri, në ditët e shkollës së mesme dhe studimeve universitare, pata fatin të njihem me librin “Kurani dhe Shkenca Bashkëkohore” nga Dr. Ali Iljazi. Në një periudhë ku mendësia laikisht skeptike ndaj besimit ishte e përhapur, ky libër më krijoi një konfuzitet të bukur, duke më nxitur të kërkoja përgjigje. A mund të jetë një libër hyjnor burim i përgjigjeve shkencore, madje në fushën e mjekësisë?
Në atë kohë, me një trashëgimi fetare familjare, por me edukim sekular dhe përfytyrim më shumë ateist, libri më hapi horizontin e njohjes së besimit përmes shkencës. Edhe pse fati më çoi në ekonomi, edhe aty ndjeva ndikimin e përmbajtjes së librit për një ekonomi të ndershme, pa spekulime e manipulime.
Jeta më çoi më tej, dhe kur u përballa me problemet e shikimit në moshën mbi 40 vjeç, një rastësi më solli në klinikën “Optika Moda”, ku mjekja që më priti ishte Enisa Iljazi Xhemjali, vajza e Dr. Ali Iljazit. Kujtimi për doktor Ali Iljazin më përmbushi me një emocion të thellë—një jetë e tërë e kushtuar shkencës, mjekësisë, edukimit dhe shërimit të mijëra pacientëve.
Nga libri i tij shërova mendjën dhe përkushtimi i bijës së tij, përmirësova shikimin. Ky është një mision hyjnor—të jesh në shërbim të njeriut. Familja Iljasi është shembull i një trashëgimie të çmuar humanizmi dhe dijetarie, ku çdo anëtar kontribuon në mënyrë të jashtëzakonshme në fushën e vet.
Për kundër peripetive dhe sfidave që përjeton populli ynë, emri i Dr. Ali Iljazit mbetet një dritë krenarie, dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nderoi me një minutë heshtje kujtimin e tij, duke shprehur respektin më të lartë për veprën dhe jetën e tij.
Në fund, ajo që mësova nga jeta dhe veprat e Dr. Ali Iljazit është se dijetari dhe humanisti nuk e ndajnë kurrë besimin nga shkenca, dhe se trashëgimia e vërtetë është ajo që ushqehet me edukim, shërim dhe frymëzim për brezat e ardhshëm.
Faleminderit, dr. Ali Iljazi, dhe faleminderit, dr. Enisa Iljazi Xhemjali! Vepra juaj do të mbetet e pavdekshme në historinë e popullit tonë dhe në zemrat e njerëzve që keni prekur.