Kandidatët për Ranillugun futen në grevë urie, pasi u pushuan nga puna në sistemin serb
Ivan Petroviq dhe Ivan Ristiq nga Ranillugu - një komunë me shumicë serbe pranë Gjilanit në Kosovë - po bëjnë grevë urie për ditën e tretë me radhë, në qendër të qytezës.
Kjo, pasi në mes të shtatorit u shkarkuan nga puna në autoritetin e përkohshëm komunal të Kamenicës, që punon brenda sistemit të Serbisë.
Të dy ata janë kandidatë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në komunën e tyre.
Petroviq kandidon për kryetar dhe këshilltar nga Lëvizja Kombëtare Serbe, e cila udhëhiqet nga Millija Bishevac dhe Branimir Stojanoviq.
Ristiq, në anën tjetër, kandidon për këshilltar nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbrojtje e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë në detyrë.
Ata thonë se shkarkimi nga puna u bë për shkak të kandidaturës së tyre dhe se pas këtij vendimi qëndron Lista Serbe - partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
Petroviq thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur vendim për punësim të përhershëm si referent për çështje ligjore, por, pas 19 vjetësh punë, është shkarkuar pa ndonjë arsyetim konkret.
Në vendimin për shkarkim thuhet se nuk ka më nevojë për angazhimin e tij, për shkak të zvogëlimit të volumit të punës.
Të njëjtin vendim për shkarkim ka marrë edhe Ristiqi, i cili për 18 vjet ka kryer punë teknike.
Autoriteti i përkohshëm komunal i Kamenicës u mbyll nga autoritetet e Kosovës vitin e kaluar, sepse konsiderohej “institucion paralel dhe i paligjshëm”.
Përveç tij, u mbyllën edhe autoritetet e tjera të përkohshme komunale që vepronin brenda sistemit serb, si dhe institucione të tjera si: Posta e Serbisë, Qendrat për Punë Sociale, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Pensionale në Mitrovicë të Veriut dhe ndërmarrjet publike.
Megjithatë, Serbia nuk i mbylli këto institucione, por i zhvendosi në qytete kufitare në territorin e saj.
Petroviq thotë se shkonte rregullisht në punë në Vranjë, ku ndodhen hapësirat e autoritetit të përkohshëm komunal të Kamenicës.
Ai thotë se nuk do ta ndalë grevën e urisë, derisa të anulohet vendimi për shkarkim nga puna, duke shtuar se “ekzistenca e tyre është e kërcënuar”.
“Ajo që duhet të dini është se udhëheqësia e Listës Serbe në Anamoravën e Kosovës po përdor një strategji të lodhjes. Në krye të Listës Serbe në këtë rajon është Sasha Millosheviq - Belli, kryetar aktual i Novobërdës, i cili i udhëheq të gjitha këto procese”, thotë Petroviqi.
Radio Evropa e Lirë tentoi të kontaktonte me Millosheviqin për t’i kërkuar një përgjigje mbi këto akuza, por pa sukses.
Millosheviq është kandidati i Listës Serbe për kryetar të Novobërdës.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit - njëherësh kryeministër në detyrë - ka kundërshtuar certifikimin e kësaj partie, me shpjegimin se kandidatët e saj janë në krye të organeve të përkohshme komunale që punojnë brenda sistemit serb.
Si shembull është marrë Sasha Millosheviq, kandidati i Listës Serbe për kryetar komune, i cili është gjithashtu kryetar i komunës së Gjilanit, e cila punon brenda sistemit serb.
“Ai ka rol të dyfishtë. Ai punon në institucionet e një shteti që ka qëllime agresive, madje edhe ushtarake, ndaj Republikës së Kosovës”, ka thënë atëkohë Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, më 7 gusht të këtij viti, Qeveria e Serbisë e ka shkarkuar Millosheviqin nga pozita e tij si kryetar i organit të përkohshëm të Gjilanit, si dhe rreth 20 udhëheqës të tjerë, të cilët janë edhe kandidatë të Listës Serbe në zgjedhjet e Kosovës në komunat me shumicë serbe.
Për këtë vendim nuk është dhënë ndonjë arsyetim, por është marrë në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit në Kosovë.
Në mesin e të shkarkuarve janë: Zoran Todiq nga Leposaviqi, Novak Zhiviq nga Prishtina, Goran Dançetoviq nga Obiliqi, Bozhidar Dejanoviq nga Vitia.
Petroviq nga Ranillugu, i cili është në grevë urie, thotë se shumë njerëz që kanë mendim ndryshe ose nuk e mbështesin Listën Serbe, shkarkohen nga institucionet e drejtuara nga Serbia ose transferohen.
“Nuk jemi të vetmit, në komunën e Kllokotit-Vërbovcit e njëjta gjë u ndodh njerëzve që janë në listat e opozitës”, thotë ai.
Kreu i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, vizitoi shtëpinë e Ivan Ristiqit - kandidatit për këshilltar në Komunën e Ranillugut - më 24 shtator, dhe deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është në rrezik.
Ristiq, ndërkohë, u shtrua në spital, por pasi gjendja e tij u stabilizua, ai vazhdoi grevën e urisë.
Rashiq tha për Ristiqin se është “një njeri me parime” dhe se nuk do që të vuajë padrejtësi.
“Sa herë që fillon fushata zgjedhore, në çdo palë zgjedhje, fillon një fushatë brutale, hakmarrëse dhe dashakeqe kundër të gjithë atyre që janë të ndryshëm në çfarëdo mënyre dhe që duan të përfaqësojnë veten dhe komunitetin e tyre në çfarëdo mënyre”, tha Rashiq.
Ai tha se e ka informuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për këtë grevë urie.
Sveçla është zyrtar i Vetëvendosjes - partisë që ka kundërshtuar ashpër certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Udhëheqësit e Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac dhe Branimir Stojanoviq, vizituan po ashtu kandidatin e tyre, Ivan Petroviq.
“Sot, për fat të keq, po arrijmë në një pikë ku shteti ynë po na kthen shpinën, duke na frikësuar dhe duke na ndaluar një copë bukë”, tha Bishevac.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për ta pyetur nëse ishte në dijeni të rastit të Petroviqit dhe Ristiqit, dhe nëse do t’i plotësonte kërkesat e tyre për t’i dhënë fund grevës së urisë - për të anuluar vendimin për shkarkimin e tyre nga autoriteti i përkohshëm komunal i Mitrovicës.
Deri publikimin e këtij lajmi nuk u mor asnjë përgjigje. /REL