Nazarko: Shtetet e BE-së dhe Amerika kanë qëndrim të ndërpresin komunikimin me Kurtin
Opinionisti Mentor Nazarko ka thënë se ndërkombëtarët kanë qëndrim të ndërpresin komunikimin me partinë në pushtet, pra me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Nazarko tha se shpreson që Kurti t’i thërrasë arsyes pas pezullimit të dialogut strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Të shpresojmë se zotëri Kurti pas atij momenti vështirësie të jashtëzakonshme, ndoshta momenti më i vështirë në historinë moderne të Kosovës, siç ishte njoftimi për ndërprerjen e dialogut strategjik për një kohë ta pacaktuar, le të shpresojmë se do t’i thërrasë arsyes”, tha ai në Klan Kosova.
“Ka një qëndrim të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe të Shteteve të Bashkuara që të ndërpresin komunikimin me ta [partinë në pushtet të Kosovës dhe Kurtin], apo nëse kanë komunikim e konsiderojnë me një kryeministër në detyrë e jo kryeministër me fuqi të plota”, u shpreh opinionisti.
“Me siguri do të ketë një grup takimesh me shtetet të Afrikës, Azisë, pra një ndarje punësh me presidenten Osmani. Do të ketë një ndarje të punëve të takimeve që Kosova ka atje”, tha ai për vizitën e Kurtit në SHBA.