Ekonomia në Zvicër po rritet më ngadalë sesa pritej
Prodhimi ekonomik pritet të rritet me 0.9 për qind vitin e ardhshëm. Në verë KOF-i priste një rritje prej 1.5 për qind.
Ekonomia zvicerane duket se do të rritet ndjeshëm më pak se sa pritej, vitin e ardhshëm. Ky është konstatim i bërë nga KOF-i, Instituti Ekonomik Zviceran në universitetin ETH Zurich, transmeton albinfo.ch.
Prodhimi i përgjithshëm ekonomik pritet të rritet me 0.9 për qind vitin e ardhshëm. Në verë, KOF-i ende priste që produkti i brendshëm bruto të rritej me 1.5 për qind, shkruan srf.ch.
Arsyeja kryesore për pritjet e ulëta janë tarifat e SHBA-së, sipas një deklarate për media, të bërë nga instituti në fjalë.
Tarifat e importit të futura nga Uashingtoni po e rëndojnë gjithnjë e më shumë sektorin e eksportit zviceran, sipas KOF-it. Veçanërisht kritike është gjendja për faktin se mallrat zvicerane u nënshtrohen taksave mesatare më të larta se produktet nga BE-ja.