Arrestohet 32-vjeçari në Fushë-Kosovë, strehoi të dyshuarin që tentoi ta vrasë djalin e tij

Një 32-vjeçar është arrestuar në Fushë-Kosovë, nën dyshimin se strehoi Driton Bekteshin, të dyshuarin për plagosjen e djalit të tij në Stanoc të Vushtrrisë.

Arrestohet një person i dyshuar për dhënie ndihme kryerësit pas kryerjes së veprës penale.

“I dyshuari mashkull kosovar, 32-vjeçar, është arrestuar në qytetin e Fushë-Kosovës, pasi dyshohet se ka strehuar dhe ndihmuar një person tjetër të dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, e cila kishte ndodhur në muajin korrik 2025 në fshatin Stanoc të Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

Ndryshe, më 28 korrik, rreth orës 18:00, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, një 27-vjeçar kishte mbetur i plagosur dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor.

Autoritetet konfirmuan se ai është jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur katër gëzhoja, ndërsa hetimet u drejtuan si “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.

Policia njoftoi se është në kërkim të personit që dyshohet se ka shtënë me armë dhe u bëri thirrje qytetarëve që për çdo informacion të mundshëm të lajmërojnë në stacionin më të afërt policor, përmes telefonit ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”.