Gërvalla thekson arritjet e Kosovës në reforma dhe ekonomi në SEECP

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në drekën e punës të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku ka prezantuar rezultatet e matshme të Republikës së Kosovës.

Sipas MPJD-së, Gërvalla paraqiti bilancin dhe progresin e Kosovës, duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian 2024, i cili konfirmon përparim në 36 nga 38 fusha, përfshirë sundimin e rendit dhe ligjit. Ajo theksoi se, sipas raportit Gallup Law & Order, Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë.

Siç bëhet e ditur, Gërvalla po ashtu theksoi rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, investimet e huaja direkte në nivele të larta, dyfishimin e eksporteve dhe forcimin e buxhetit shtetëror.

“Ekonomi në rritje me investime të huaja rekorde, eksporte të dyfishuara dhe buxhet të forcuar. Agjenda e Reformave për vitet 2024–2027 është e harmonizuar me Planin e Rritjes së BE-së, është në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë”, citohet të ketë thënë Gërvalla.

MPJD-ja bën të ditur se, Gërvalla theksoi gjithashtu rolin e Kosovës si Kryesuese e CEFTA-s dhe angazhimin për barazi në përfaqësim dhe zbatimin e kornizës së Tregut të Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC). Ajo shtoi se Kosova ka kontribuar në përfundimin me sukses të procesit të emërimit të drejtorit ekzekutiv të CEFTA-s.

MPJD-ja potencon se ministrja në detyrë ngriti si shqetësim ndalesat arbitrare të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se këto veprime “cenojnë rëndë lirinë e lëvizjes dhe bien ndesh me frymën e bashkëpunimit rajonal”.

“Ajo kërkoi heqjen e këtyre masave të pajustifikuara, trajtim të barabartë për statusin e kandidatit dhe përmbylljen sa më të shpejtë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim. /Zëri