Nuhiu: Serbia mund të bërtasë sa të dojë, presidentja Osmani është e akredituar në OKB si çdo kryetar shteti

Rinor Nuhiu, këshilltar politik i presidentes Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, lidhur me deklaratat e tij për mënyrën sesi presidentja Osmani ka hyrë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Nuhiu në një postim në platformën X shkruan se fabrika e lajmeve të rreme e Vuçiqit dhe Marko Gjuriqit po punon me orar të zgjatur, gjersa shtoi se presidentja Osmani është akredituar në përputhje me procedurat standarde të OKB-së, si çdo kryetar shteti tjetër.

“Gënjeshtra pas gënjeshtrash. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nuk u ‘fut kontrabandë’ në OKB nga ‘një vend tjetër’, as nuk hyri si ‘turiste’. Ajo është e akredituar në përputhje me procedurat standarde të OKB-së… si çdo kryetar shteti tjetër. Serbia mund të bërtasë sa të dojë. Faktet nuk ndryshojnë. Kosova është këtu. Dhe është këtu për të qëndruar. Përgjithmonë Kosova”, shkroi Nuhiu.