Fejza e LVV-së: Ndihemi të përfaqësuar nga Dimal Basha në Kuvend

Arjeta Fejza, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ajo dhe partia ku bënë pjesë ndihen të përfaqësuar nga kryetari i Kuvendit që vije nga e njëjta parti, Dimal Basha.

Tutje Fejza  tha se e konsiderojnë Kuvendin të konstituar.

“Absolutisht se po, në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka pasur një proces që është zhvilluar jo vetëm në rastin e kryetarit por edhe në komplet konstituimin e seancës që ne e konsiderojmë të konstituar pasi është respektuar në përpikëri rregullorja e Kuvendit”, u shpreh Fejza.

“Ne e kemi respektuar rregulloren e Kuvendit dhe kemi pas vërejtjet tona dhe e kemi respektuar vendimin e gjykatës në secilën situatë”, tha ajo në RTV Dukagjini.

Kujtojmë se konstituimi i plotë i Kuvendit bëhet me zgjedhjen e nënkryetarëve teksa ky proces ka ngecur tek votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakicat serbe pasi deputetët kanë refuzuar që të votojnë kandidatin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, për këtë pozitë.

Po ashtu konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.