Trafik droge në Itali dhe Zvicër, koka e grupit arrestohet në Fier

Policia në Fier ka arrestuar një 41-vjeçar, që cilësohet si koka e një grupi kriminal, të goditur gjatë një operacioni ndërkombëtar të nisur nga Antimafia e Firences, në Itali.

Sipas A2 CNN, në kuadër të operacionit “Fingerprint”,  ka rënë në pranga shtetasi Edi Hoxha (alias Edison Hoxha). Hetimet që çuan në goditjen e grupit të koordinuar nga 41-vjeçari nisën disa muaj më parë dhe u shtrinë në të dyja shtetet.

Sipas policisë kjo organizate kriminale akuzohet për trafikimin e lëndëve narkotike, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, gjatë periudhës 2020-2021. Gjykata e Firenzes lëshoi 12 urdhra arresti, 10 prej të cilëve u ekzekutuan (9 në Itali dhe 1 në Shqipëri), ndërsa 2 shtetas u shpallën në kërkim.

“Gjatë kësaj faze të operacionit “Fingerprint”, shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, lokalizuan në Fier, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. H. alias E. H.,, 41 vjeç, lindur në fshatin Portëz, Fier. Gjykata e Firences, me vendimin e vitit 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për trafikim të lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale, veprimtari e cila dënohet nga Kodi Penal i Italisë, me maksimalisht 24 vjet burgim. Shtetasi E. H. alias E. H. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, ka koordinuar veprimtarinë kriminale të një organizate të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër”, informon policia.

Sakaq, bëhet me dije se Interpol Tirana dhe homologët e tyre në Romë po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 41-vjeçarit, në Itali.