Scholes: Pedri është si Xavi dhe Iniesta të bashkuar në një
Legjenda e Manchester Unitedit, Scholes, edhe një herë e lavdëroi lojtarin e Barcelonës Pedrin, pasi e impresionoi me performancën e tij kundër Newcastlet.
Paul Scholes edhe një herë e lavdëroi Pedrin pas performancës së lojtarit kundër Newcastlet në Ligën e Kampionëve. Ish-mesfushori i Manchester Unitedit është një nga të ftuarit në podkastin “The Good, The Bad & The Football”, të cilin e prezanton së bashku me legjendën tjetër të Djajve të Kuq, Nicky Butt, dhe komedianin Paddy McGuinness. Ai shfrytëzoi kohën në kanalin YouTube për ta lavdëruar edhe një herë lojtarin e Barçës.
Pas ndeshjes së Barçës në Ligën e Kampionëve, Scholes kishte rrëfyer tashmë në rrjetet sociale se Pedri ishte lojtari i tij i preferuar, dhe këtë javë legjenda britanike donte edhe një herë ta kujtonte ish-lojtarin e Las Palmas. Panelistët përpiluan një listë prej 5 mesfushorëve më të mirë të ditëve të sotme, dhe anglezi nuk hezitoi ta vendoste lojtarin e Barçës në krye të renditjes:
“Numri 1 është Pedri. Kur e pashë kundër Newcastle, thashë, 'Uau!'... Ai është si një kombinim i Xavit dhe Iniestës. Nuk po flasim vetëm për këmbët e tij, por mbi të gjitha, për inteligjencën e tij në futboll. Ndonjëherë ai e gjen veten në situata të vështira, dhe mënyra se si i kapërcen ato me një-dy goditje të vogël ose një goditje të lehtë në shpatull është e pabesueshme. Teknika e tij është brilante”, theksoi ish-mesfushori.
Scholes, i cili pranoi se nuk e kishte ndjekur La Ligën vitet e fundit dhe nuk ishte në dijeni të cilësisë së Pedrit, u mahnit nga performanca e lojtarit kundër Newcastlet në “St. James' Park”.
“Gjëja më e mirë është se kur Newcastle shënoi, kishin mbetur tetë minuta kohë shtesë. Mendova se do të ishte emocionuese... Por Pedri e kishte topin për shtatë nga tetë minutat. Ai mori kontrollin e plotë të lojës. Mendova se ishte brilante”, përfundoi ai. /Zëri