Maqedonci: Situata në veri, temë e rëndësishme në Ministerial
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, nga Sllovakia, ka folur për planet e bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Ai tha se tashmë është faza përfundimtare për një plan të përbashkët që pritet të konkretizohet në muajt në vijim.
“Ne jemi vetëm në fazën përfundimtare. Së bashku me ministrin Pëllumb Veliu dhe përfaqësuesin kroat e diskutuam çështjen e këtij plani dhe të tri palët jemi dakorduar që të vazhdojmë. Do të kemi edhe risi të reja në kuadër të këtij plani, të cilat do të bëhen publike në muajt në vijim, sidomos në aspektin e angazhimit për blerje të përbashkët dhe mundësisë së bashkë-investimit për prodhimin e armëve,” tha Maqedonci për Teve1.
I pyetur për përfshirjen e shteteve të tjera, Maqedonci sqaroi se Bullgaria nuk është pjesë e forumit ku po zhvillohen diskutimet, por Kosova mbetet e hapur për bashkëpunime të reja.
“Në ministrialin e Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor nuk është pjesë Bullgaria, prandaj nuk kemi pasur mundësi për diskutim me ta. Ata kanë qenë prezent gjatë kohës së nënshkrimeve, por ne mbetemi të hapur jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për vende të tjera”, shtoi Maqedonci.
Në lidhje me situatën e sigurisë në veri të Kosovës, sidomos në prag të dyvjetorit të sulmit terrorist në Banjskë, Maqedonci tha se kjo temë nuk ka munguar në tryezën e diskutimeve.
“Siguria në Ballkanin Perëndimor ka qenë ndër temat kryesore. Të gjithë aktorët pjesëmarrës u pajtuan se integrimi i vendeve të rajonit në BE është ndër mjetet më të rëndësishme për të shmangur tensionet në të ardhmen. Ne, si Kosovë, në çdo takim bilateral e theksojmë pakënaqësinë tonë për mosdorëzimin e personave që realizuan aktin terrorist në veri të vendit”, theksoi Maqedonci.